Dhoma Kombëtare e Zejtarisë mori pjesë në Takimin e 3-të të Komitetit të Përbashkët Konsultativ BE–Shqipëri (JCC), i zhvilluar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shqiptare, Bashkimit Europian, organizatave të biznesit, sindikatave dhe shoqërisë civile.
Takimi u fokusua në progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, veçanërisht në kuadër të Cluster 2 – Tregu i Brendshëm, përgatitjet për integrimin në Tregun Unik Europian, mbrojtjen e konsumatorit, lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe punëtorëve, si dhe rolin e shoqërisë civile në procesin e reformave.
Në emër të komunitetit të biznesit, z. Koli Sinjari anëtar i palës shqiptare në JCC, mbajti një fjalë ku theksoi rëndësinë strategjike të integrimit të Shqipërisë në Tregun Unik Europian dhe nevojën për përshpejtimin e reformave që lidhen me katër liritë themelore të BE-së: lëvizjen e lirë të mallrave, punëtorëve, shërbimeve dhe kapitalit.
Në fjalën e tij, z. Sinjari vlerësoi përmbushjen me sukses të klasterit “The Fundamentals”, duke e cilësuar atë një moment të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit, ndërsa nënvizoi se progresi në kapitujt që lidhen me Tregun e Brendshëm duhet të trajtohet si prioritet kombëtar.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e:
- Njohjes reciproke të kualifikimeve profesionale për profesionistët shqiptarë në tregun europian;
- Përshpejtimit të harmonizimit me Direktivën e Shërbimeve dhe Direktivën për Kualifikimet Profesionale;
- Zhvillimit të sistemeve që mundësojnë lëvizjen e lirë dhe mbrojtjen sociale të punëtorëve shqiptarë në vendet e BE-së;
- Përfshirjes së organizatave të biznesit dhe shoqërisë civile si partnerë të strukturuar në procesin e reformave dhe negociatave.
Z. Sinjari theksoi se Tregu Unik Europian mbetet një nga shtyllat kryesore të integrimit europian dhe njëkohësisht një test i rëndësishëm i seriozitetit politik të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Dhoma Kombëtare e Zejtarisë vlerëson rëndësinë e këtij dialogu të strukturuar ndërmjet institucioneve, biznesit dhe shoqërisë civile, si një instrument i domosdoshëm për të siguruar një proces integrimi gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete për ekonominë shqiptare dhe komunitetin e sipërmarrjes.
Takimi përfundoi me miratimin e Deklaratës së Përbashkët të Komitetit të Përbashkët Konsultativ BE–Shqipëri.

