Intervistë e Sekretarit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Zejtarisë z. Koli Sinjari në Scan
Tv
Në emisionin Scan Live të dates 15 Janar 2025, i ftuar ishte Sekretari i Përgjithshëm i Dhomës
Kombëtare të Zejtarisë, z.Koli Sinjari, për të diskutuar mbi rimëkëmbjen e zejtarisë gjatë viteve
të fundit, veçanërisht pas themelimit të Dhomës Kombëtare të Zejtarisë.
Ky sektor ka njohur një zhvillim të ndjeshëm përgjatë vitit të fundit, i nxitur edhe nga zgjerimi i
sektorëve të tjerë, ku rolin kryesor e luan sektori i turizmit.
Në vijim të diskutimit, u theksua roli i rëndësishëm i turistëve, si të huaj ashtu edhe vendas, në
përparimin e këtyre sektorëve. Po ashtu, u trajtua ndikimi i pandemisë në zhvillimin e turizmit të
brendshëm, ku u pohua se shqiptarët, gjatë kësaj periudhe, iu drejtuan tregut artizanal vendas,
duke kontribuar në ringjalljen e traditave, produkteve dhe ushqimeve shqiptare.
Kur u pyet për shifra konkrete që reflektojnë zhvillimin e sektorit të zejtarisë gjatë vitit të kaluar,
z. Sinjari theksoi se, për shkak se bëhet fjalë për biznese familjare dhe mungesës së njësive
matëse të xhirove në këto biznese, nuk ka të dhëna specifike. Megjithatë, shihet se dëshira e
artizanëve për të marrë pjesë në panaire, që janë një platformë e domosdoshme për prezantimin e
produkteve dhe për njohjen e klientëve me cilësinë e tyre, shpreh qartë përfitimet që ata nxjerrin
nga organizimi i këtyre panaireve. Procedurat për pjesëmarrje në panaire ndryshojnë nga një
qytet në tjetrin, megjithëse janë ndërmarrë hapa për të lehtësuar këtë proçes.
Lidhur me grantet dhe mbështetjen financiare të këtij sektori, z.Sinjari theksoi se ofrohen fonde
të siguruara nga qeveria, Bashkimi Evropian, fondacione dhe organizata joqeveritare, të cilat
janë thelbësore për ta bërë sektorin konkurrues, për të përmirësuar produktet, shërbimet dhe
cilësinë e prodhimit.
Për vitin 2025, z. Sinjari shprehu pritshmëritë për një zhvillim të mëtejshëm të sektorit të
zejtarisë dhe sfidën e Dhomës për të trajnuar bizneset në përmirësimin e produkteve dhe
shërbimeve, në rëndësinë e marketingut dixhital si dhe për t’i ndihmuar në përballimin e
vështirësive në tregun vendas dhe në zgjerimin e eksporteve drejt tregjeve ndërkombëtare.
https://youtu.be/CBQ-_OonnC8?si=CZKLWAgmwlzBJd9L