Me krenari dhe përkushtim, Dhoma Kombëtare e Zejtarisë, në bashkëpunim me ALTA Academy dhe me mbështetjen e ngushtë të Shoqatës së Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave, certifikoi sot katër Ndihmësmjeshtra të rinj në fushën e pastiçerisë – një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një karriere të suksesshme në botën e artit kulinar.
Ky certifikim është më shumë se një dokument zyrtar: është një vlerësim konkret për punën, përkushtimin dhe pasionin që këto zonja kanë treguar gjatë procesit të formimit të tyre profesional. Ato tashmë janë të pajisura me njohuri të thelluara teorike dhe aftësi praktike, të cilat u japin mundësinë të kontribuojnë me dinjitet dhe profesionalizëm në një nga sektorët më dinamikë dhe kreativë të zejtarisë.
Sinergjia mes Dhomës së Zejtarisë, Shoqatës së Bukës dhe ALTA Group po jep frytet e para, duke sjellë bashkëpunime konkrete dhe rezultate të dukshme në terren. Kjo nismë është një dëshmi e përkushtimit për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për zejtarinë shqiptare, duke u dhënë hapësirë dhe mbështetje profesionistëve të rinj.
Ky program është pjesë e një iniciative më të gjerë për fuqizimin e profesionistëve të rinj dhe promovimin e zejeve tradicionale e moderne, me synimin për të rritur cilësinë dhe standardet në sektorin e kulinarisë në Shqipëri.