Legjislacioni

 Të gjithë anëtarët e Dhomës Kombëtare të Zejtarisë kanë mundësinë të paraqesin shërbimet dhe produktet e tyre në këtë platformë 

V E N D I M PËR KOHËN E NEVOJSHME, QË I DUHET NDIHMËSIT PËR KUALIFIKIMIN ME NJOHURITË PRAKTIKE PRANË NJË MJESHTRI DHE ME NJOHURITË TEORIKE NË NJË INSTITUCION ARSIMOR

V E N D I M

PËR

KOHËN E NEVOJSHME, QË I DUHET NDIHMËSIT PËR KUALIFIKIMIN ME NJOHURITË PRAKTIKE PRANË NJË MJESHTRI DHE ME NJOHURITË TEORIKE NË NJË INSTITUCION ARSIMOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 12, të ligjit nr.70/2016, “Për zejtarinë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.10247, datë 4.3.2010, “Për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Kohëzgjatja e kualifikimit të ndihmësit me aftësitë praktike, pranë një mjeshtri në një subjekt zejtar të licencuar, deri në fitimin e titullit të ndihmësmjeshtrit, është 2 (dy) deri në 3 (tri) vite kalendarike, në varësi të llojit të zejes.

2. Kohëzgjatja e kualifikimit të ndihmësit me njohuritë teorike, në një institucion arsimor, me kohë të pjesshme, deri në fitimin e titullit të ndihmësmjeshtrit, është 2 (dy) deri në 3 (tri) vite mësimore (akademike), në varësi të llojit të zejes.

3. Ndihmësi kualifikohet me njohuri teorike në një institucion arsimor, sipas një programi teorik me kohë të pjesshme, me kohëzgjatje 10 (dhjetë) orë mësimore në javë, për 35 (tridhjetë e pesë) javë mësimore në vit.

4. Gjatë javëve të zbatimit të programit teorik, ndihmësi kualifikohet edhe me aftësitë praktike pranë mjeshtrit, në një subjekt zejtar të licencuar për këtë qëllim, për 6 (gjashtë) orë në ditë, në 5 (pesë) ditë të javës.

5. Gjatë javëve që nuk zbatohet programi teorik, ndihmësi, që ka mbushur moshën 18 vjeç, kualifikohet me aftësitë praktike pranë mjeshtrit në një subjekt zejtar të licencuar për këtë qëllim për 8 (tetë) orë në ditë, në 5 (pesë) ditë të javës.

6. Për zeje të veçanta, me propozim të Dhomës Kombëtare të Zejtarisë dhe në konsultim me Agjencinë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, ministri përgjegjës për arsimin dhe formimin profesional miraton kohëzgjatje të ndryshme nga ato të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të këtij vendimi, për kualifikimin e ndihmësit.

7. Ngarkohen ministria përgjegjëse për arsimin dhe formimin profesional, Dhoma Kombëtare e Zejtarisë dhe Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Dhoma kombetare e Zejtarise

Tel/fax: +35542204272
Tel/Fax: +35542226280
Mob: +355 682082666

 

Bulevardi Bajram Curri,
Godina 2 kate brenda ambjenteve te Drejtorise Rajonale te Arsimit dhe Formimit Profesional DRAFP Nr.4,
Tirana/ Albania.